Ish-kryetari i Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet para formimit të Qeverisë, duke argumentuar se kjo kërkohet nga rendi kushtetues dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, Hasani tha se pas konstituimit të Kuvendit, deputetët duhet fillimisht të trajtojnë zgjedhjen e presidentit, sidomos në rrethanat aktuale kur posti i kreut të shtetit është vakant.
Sipas tij, sapo të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ai automatikisht fiton mandat të ri gjashtëmujor si ushtrues i detyrës së presidentit.
“Kjo nuk është mendim personal, por normë kushtetuese. Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, konkretisht paragrafi 162, e bën të qartë se sa herë posti i presidentit është vakant, ai duhet të zgjidhet i pari,” deklaroi Hasani.
Ai shtoi se, nëse ka vullnet politik dhe marrëveshje mes partive, procesi mund të përfundojë shumë shpejt.
“Sikur të ketë marrëveshje, paradite mund të zgjidhet presidenti, ndërsa pasdite Qeveria. Të dyja mund të bëhen brenda një dite,” u shpreh ai.
Hasani kritikoi ashpër edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se gjatë mandatit të tij ka pasur shkelje serioze të normave kushtetuese.
Sipas tij, megjithatë mbetet e mundur që ekzekutivi aktual të insistojë fillimisht në formimin e Qeverisë e më pas në zgjedhjen e presidentit, pavarësisht interpretimeve kushtetuese.
Ish-kryetari i Kushtetueses theksoi gjithashtu se, nëse Albulena Haxhiu zgjidhet sërish kryetare e Kuvendit, ajo do të marrë një mandat të ri gjashtëmujor si ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës.

