Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar se Turqia nuk do të qëndrojë pasive përballë asaj që ai e cilësoi si përpjekje për të rrethuar vendin, duke theksuar se Ankaraja do t’i përgjigjet çdo kërcënimi ndaj sigurisë së saj. Erdogan kritikoi gjithashtu Izraelin për përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme dhe paralajmëroi për pasoja të mëtejshme ekonomike nga rritja e çmimeve të naftës.
Në një fjalim pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, Erdogan tha se qetësia dhe qëndrimi i përmbajtur i Turqisë nuk duhet të interpretohen si dobësi.
Sipas presidentit turk, Ankaraja nuk do të lejojë veprime që mund të cenojnë sigurinë kombëtare dhe do të reagojë ndaj çdo hapi që e konsideron armiqësor.
“Nuk do të qëndrojmë në tribuna si spektatorë përballë hapave armiqësorë në rajonin tonë që synojnë të rrethojnë Turqinë”, deklaroi Erdogan.
Ai theksoi se Turqia, sipas tij, nuk është kundër ndonjë shteti, populli apo feje, por kundërshton atë që e cilëson si paligjshmëri, padrejtësi dhe kërcënime ndaj sigurisë së saj.
“Turqia nuk është kundër asnjë shteti, asnjë shoqërie, asnjë besimi apo kulture. Por Turqia është kundër çdo paligjshmërie, çdo padrejtësie, çdo tiranie dhe çdo akti banditesk, pavarësisht se nga kush vjen”, tha presidenti turk.
Erdogan kritikon Izraelin
Edhe pse nuk përmendi një shtet konkret kur foli për përpjekjet për “rrethimin” e Turqisë, deklaratat e Erdoganit vijnë në një periudhë të tensionuar për Lindjen e Mesme, pas përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit.
Presidenti turk akuzoi Izraelin se, sipas tij, po thellon krizën rajonale dhe se pasojat e konfliktit po ndihen përtej vendeve të përfshira drejtpërdrejt në luftime.
Erdogan u ndal veçanërisht te çmimet e naftës dhe situata në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
“Për sa kohë që nyja në Ngushticën e Hormuzit nuk zgjidhet, çmimet e naftës do të vazhdojnë të rriten. Lufta e nisur nga provokimet e Izraelit nuk po paguhet vetëm nga populli iranian apo vendet e Gjirit, por nga të gjithë”, u shpreh Erdogan.
“Nuk do të qëndrojmë spektatorë”
Presidenti turk e lidhi qëndrimin e Ankarasë me nevojën për të mbrojtur interesat dhe sigurinë kombëtare të Turqisë.
Erdogan tha se vendi i tij do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët dhe aleatët, ndërsa paralajmëroi se Turqia nuk do të pranojë zhvillime rajonale që, sipas tij, mund të krijojnë kërcënime të drejtpërdrejta ndaj sigurisë së saj.
Deklaratat e fundit të presidentit turk sinjalizojnë një qëndrim gjithnjë e më të ashpër të Ankarasë ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme, në një kohë kur tensionet rajonale mbeten të larta dhe pasojat e tyre po shtrihen edhe në tregjet globale të energjisë.

