Komuna e Ferizajt ka njoftuar qytetarët se do të zhvillohet faza e katërt e projektit “Dezinsektimi hapësinor”, i cili ka për qëllim eliminimin e insekteve, mushkonjave dhe mizave në territorin e komunës.
Sipas njoftimit, aksioni i dezinsektimit do të realizohet në tri ditë radhazi, duke filluar nga 1 gushti, me nisje nga ora 20:00.
Nga komuna kanë bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes gjatë orarit të realizimit të këtij procesi, veçanërisht personat me ndjeshmëri ndaj preparateve të përdorura, si dhe të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e ushqimeve, kafshëve shtëpiake dhe hapësirave të banimit.
Qëllimi i këtij aksioni është përmirësimi i kushteve higjienike dhe zvogëlimi i pranisë së insekteve në zonat urbane dhe rurale të Ferizajt.

