Franca ka vendosur t’i ndalojë hyrjen ministrit izraelit të Financave, Bezalel Smotrich, duke e cilësuar atë si një figurë që “promovon aneksimin e Bregut Perëndimor”, sipas Ministrisë së Jashtme franceze.
Në deklaratën zyrtare, ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot tha se Smotrich “po promovon në mënyrë aktive aneksimin e Bregut Perëndimor, krijimin e vendbanimeve të reja dhe dobësimin ekonomik të Autoritetit Palestinez”, politika të cilat, sipas tij, bien ndesh me qëndrimin e shumicës së komunitetit ndërkombëtar që mbështet zgjidhjen me dy shtete.
Parisi theksoi gjithashtu shqetësimet për rritjen e dhunës nga kolonët ekstremistë në Bregun Perëndimor, duke akuzuar disa prej tyre për sulme ndaj palestinezëve, shkatërrim prone dhe zhvendosje të detyruar të popullsisë.
Sipas autoriteteve franceze, në disa raste këto veprime ndodhin edhe me mbështetje ose praninë e forcave të sigurisë izraelite, ndërsa paralajmërohet se mund të merren masa të tjera nëse situata në terren nuk ndryshon.
Ndalimi i hyrjes për Smotrich vjen në kuadër të një pakete më të gjerë sanksionesh të ndërmarra nga disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë, Zelandën e Re dhe Norvegjinë, ndaj personave të lidhur me zgjerimin e vendbanimeve dhe dhunën në Bregun Perëndimor.
Më herët, Franca kishte vendosur gjithashtu ndalim hyrjeje për ministrin izraelit të Sigurisë, Itamar Ben-Gvir, për shkak të sjelljeve dhe deklaratave të tij ndaj aktivistëve të ndaluar gjatë një misioni humanitar drejt Gazës.

