Në Prishtinë, më 10 dhe 11 qershor, do të mbahet një konferencë e përmasave të mëdha kushtuar drejtësisë tranzicionale dhe gjykatave ndërkombëtare për luftën e Kosovës, me theks të veçantë te Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ngjarja organizohet në prag të ditës së çlirimit dhe cilësohet si një nga më të rëndësishmet e këtij lloji të mbajtura ndonjëherë në vend, duke mbledhur dhjetëra ekspertë, diplomatë dhe personalitete ndërkombëtare.
Sipas organizatorëve dhe burimeve mediatike, në konferencë do të marrin pjesë edhe figura ndërkombëtare që në të kaluarën kanë shprehur kritika ndaj procesit në Gjykatën Speciale, ku prej rreth gjashtë vitesh po zhvillohen gjykimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Ndër folësit e paralajmëruar janë Daan Everts, ish-shef i OSBE-së në Kosovë; Sir Geoffrey Nice, ish-prokuror në Tribunalin e Hagës; Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë; dhe Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit të Hagës. Ata do të trajtojnë aspekte të ndryshme të drejtësisë tranzicionale dhe zhvillimeve në proceset ndërkombëtare të gjykimit.
Në panel do të marrin pjesë edhe emra të njohur të gazetarisë dhe analizës ndërkombëtare, përfshirë Tim Judah nga “The Economist”, autoren Ana Di Lellio dhe ish-drejtorin e Associated Press për Evropë, Dan Perry, të cilët do të diskutojnë rolin e mediave në proceset e drejtësisë tranzicionale.
Konferenca pritet të sjellë debat të gjerë mbi ndikimin e gjykatave ndërkombëtare dhe perceptimet rreth drejtësisë në rastet e luftës në Kosovë.

