Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, e ka cilësuar si “maskaradë” situatën e krijuar të premten në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e zvarrit procesin për të fituar kohë deri në caktimin e zgjedhjeve më 27 dhjetor.
Gjini ka deklaruar se veprimet e sotme në Kuvend, sipas tij, janë pjesë e një strategjie politike të VV-së dhe se interesi zgjedhor po vendoset mbi funksionimin e institucioneve të shtetit.
“Kjo maskaradë që ndodhi sot në Kuvend është lojë e pastër për të blerë kohë, që zgjedhjet t’i caktojnë më 27 dhjetor. Kjo edhe nëse çmimi është shkatërrimi i institucioneve të shtetit”, ka deklaruar Gjini.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i votojnë më, siç i ka cilësuar ai, personat që po e dëmtojnë shtetin dhe demokracinë.
“Asgjë që po e shihni nuk është e rastësishme. Është zgjedhja e datës së zgjedhjeve. Po e nëpërkëmbin shtetin, po e nëpërkëmbin të ardhmen tuaj. Mos i votoni më. Mos lejoni ta shkatërrojnë Kosovën”, ka thënë ai.
Sipas Gjinit, Kosova përfundimisht do të shkojë në zgjedhje, ndërsa ai ka thënë se përgjegjësi e përbashkët e qytetarëve dhe partive politike është mbrojtja e institucioneve dhe demokracisë.
“Kemi me shku në zgjedhje, se vetë po duan me shku në zgjedhje. Është detyrë e jona, e juaja, me mbrojt shtetin e me mbrojt demokracinë nga shkatërrimi që po ia shkaktojnë këta njerëz”, është shprehur Gjini.
Ndërkohë, gjatë seancës së sotme konstituive, vazhdimi i saj u ndërpre dy herë për shkak të mosmarrëveshjeve rreth zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.
Fillimisht, PDK-ja e lëshoi sallën pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk votoi Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit. PDK-ja kishte votuar më herët Ardian Golën e VV-së për këtë pozitë.
Pas largimit nga salla, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk kishte më arsye të merrte pjesë në seancat e Kuvendit dhe paralajmëroi se do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese.
Seanca u ndërpre për herë të dytë pasi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës lëshoi sallën. Shkak u bë insistimi i VV-së për të hedhur në votim kandidaturën e Kujtim Shalës për nënkryetar të Kuvendit.
Nga LDK-ja argumentuan se, pa u zgjedhur nënkryetari i propozuar nga partia e dytë, nuk është e drejtë që të procedohet me zgjedhjen e kandidatit të partisë së tretë.
Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për të dielën në orën 10:00.

