Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin ministror për rritjen e rrezikut nga terrorizmi politik, të organizuar në Washington nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Konjufca tha se pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim është me rëndësi të veçantë, pasi i mundëson vendit të kontribuojë në përpjekjet ndërkombëtare për parandalimin e terrorizmit politik dhe forcimin e mekanizmave që mbrojnë shoqëritë demokratike.
Sipas tij, terrorizmi politik po merr forma gjithnjë e më të organizuara, duke vepruar përtej kufijve shtetërorë dhe duke shfrytëzuar rrjetet ndërkombëtare, financimin dhe hapësirën digjitale për të cenuar stabilitetin dhe institucionet demokratike.
Konjufca theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati më i afërt dhe partneri strategjik i Kosovës, ndërsa bashkëpunimi me SHBA-në dhe vendet partnere është thelbësor për ndërtimin e një mjedisi më të sigurt dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.
Ai shtoi se Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj në çdo nismë që forcon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe i shërben paqes dhe sigurisë.

