Kosova ka dorëzuar në afatin e caktuar raportin për zbatimin e hapave reformues në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, duke u bërë vendi i fundit nga partnerët e Ballkanit Perëndimor që përmbushi këtë obligim.
Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga një zëdhënës i Komisionit Evropian, i cili bëri të ditur se raporti i Kosovës u dorëzua më 15 korrik, ditën e fundit të afatit.
“Mund të konfirmojmë se të gjithë pesë partnerët i kanë dorëzuar me sukses kërkesat e tyre për pagesë, përfshirë Kosovën që raportoi për herë të parë”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Sipas Komisionit Evropian, pas pranimit të raporteve do të bëhet vlerësimi i përmbushjes së reformave nga secili shtet. Në bazë të këtij vlerësimi do të merret vendimi për disbursimin e fondeve të parapara në kuadër të Planit të Rritjes.
Ndërkohë, Bosnje e Hercegovina mbetet i vetmi vend i rajonit që nuk ka dorëzuar raport, pasi ende nuk ka miratuar Agjendën e Reformave dhe nuk ka nënshkruar marrëveshjet për financim dhe hua me Bashkimin Evropian.
Deri më tani, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë përfituar tri pagesa të rregullta nga Plani i Rritjes, ndërsa Serbia ka marrë vetëm një pagesë. Kosova nuk ka marrë ende asnjë pagesë të rregullt, por vetëm parafinancimin prej mbi 61 milionë euro, që përfaqëson 7 për qind të shumës totale prej 882.6 milionë eurosh të ndara për vendin.
Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor ka një buxhet prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027, nga të cilat 2 miliardë euro janë grante, ndërsa 4 miliardë euro kredi me kushte të favorshme.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kishte paralajmëruar më herët se vendet e rajonit rrezikojnë të humbin rreth 700 milionë euro, nëse nuk i zbatojnë reformat brenda afateve të përcaktuara. Sipas rregullave të BE-së, fondet që nuk shfrytëzohen për shkak të mosrealizimit të reformave rikthehen në buxhetin e Bashkimit Evropian.

