Guardia di Finanza ka goditur një organizatë ndërkombëtare të trafikut të drogës që vepronte në aksin Spanjë–Shqipëri–Itali, duke arrestuar 9 persona dhe sekuestruar mbi 110 kilogramë kokainë dhe hashash.
Operacioni u zhvillua nga njësia GICO dhe sektori PEF në Lecce, ndërsa autoritetet italiane njoftuan për përfundimin e hetimeve paraprake ndaj nëntë të dyshuarve — dy italianë nga rajoni i Salentos dhe shtatë shtetas marokenë që banonin në provincat e Leçes, Bolonjës dhe Modenës.
Sipas hetimeve, rrjeti kriminal merrej me trafik dhe shpërndarje ndërkombëtare të narkotikëve, me lidhje operative edhe në provincën e Napolit. Droga transportohej përgjatë itinerarit Spanjë–Shqipëri–Itali, për të përfunduar më pas në tregun e Salentos.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan:
- mbi 110 kilogramë kokainë dhe kanabis,
- katër automjete transporti,
- si dhe arrestuan në flagrancë shtatë persona të përfshirë kryesisht në transportin e drogës.
Sipas vlerësimeve të hetuesve italianë, sasia e sekuestruar do t’u sillte organizatave kriminale fitime prej rreth 500 mijë eurosh nëse do të hidhej në treg.
Autoritetet italiane theksuan se kjo nuk është goditja e parë ndaj këtij korridori të trafikut. Që në tetor 2025, në kuadër të operacionit “Gioele”, i koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Distriktit të Leçes, ishte goditur një tjetër rrjet narkotikësh që përdorte të njëjtën linjë trafiku ndërkombëtar.

