Pas gati gjashtë vitesh nga arrestimi dhe një procesi të gjatë gjyqësor, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burgim. Në total, katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me 81 vite burgim.
Trupi Gjykues i shpalli penalisht përgjegjës për ndalim arbitrar ose të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, ndërsa rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit.
Në nisje të leximit të aktgjykimit, kryesuesi i Trupit Gjykues, gjyqtari amerikan Charles Smith, theksoi se procesi nuk kishte të bënte me luftën çlirimtare të Kosovës apo me shtetin e Kosovës.
“Kjo çështje nuk ka të bëjë me pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës. Kjo çështje nuk ka të bëjë me Kosovën e pavarur.”
Gjykata konstatoi se Prokuroria nuk kishte arritur të provonte një nga elementet kryesore të akuzës për krime kundër njerëzimit, përkatësisht ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile.
“ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile.”
385 persona u ndaluan arbitrarisht
Në lidhje me akuzat për krime lufte, Trupi Gjykues tha se, bazuar në provat e shqyrtuara, 385 persona u ndaluan arbitrarisht në qendrat e ndalimit të UÇK-së në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Sipas gjykatës, shumë prej viktimave u arrestuan në shtëpitë e tyre ose në rrugë, u rrahën, u keqtrajtuan dhe iu konfiskuan sendet personale. Shumë prej tyre u ndaluan si të dyshuar për bashkëpunim me armikun ose si “spiunë”.
Gjykata tha se në mesin e të ndaluarve kishte mësues, bujq, gra dhe fëmijë dhe se nuk kishte prova që ata të ishin përfshirë në veprimtari kriminale apo në aktivitete që përbënin kërcënim për UÇK-në.
Sipas trupit gjykues, viktimat u mbajtën në ndalim mbi bazën e thashethemeve.
Gjykata: Të ndaluarit iu nënshtruan keqtrajtimeve
Trupi Gjykues konstatoi se në qendrat e ndalimit u krijuan kushte çnjerëzore dhe se të ndaluarit iu nënshtruan keqtrajtimeve fizike dhe psikologjike.
Sipas gjykatës, në disa raste të ndaluarit detyroheshin të rrihnin njëri-tjetrin, ndërsa në shumë qendra u kërcënoheshin me vrasje.
Gjykata tha gjithashtu se ZPS-ja kishte arritur të provonte krimet e luftës të trajtimit mizor dhe torturës.
Po ashtu, sipas aktgjykimit, ndërmjet prillit 1998 dhe qershorit 1999, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Gjykata pranon ekzistencën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale
Një nga pikat kyçe të aktgjykimit ishte edhe konstatimi i gjykatës për ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.
Sipas Trupit Gjykues, katër të akuzuarit vepruan së bashku për realizimin e një qëllimi të përbashkët.
“Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit kishin të njëjtin qëndrim se elementë kyç të strategjisë për realizimin e qëllimeve ishin shënjestrimi, eliminimi ose neutralizimi i personave që konsideroheshin pengesë.”
Përgjegjësia individuale
Për Hashim Thaçin, gjykata tha se ai ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh dhe nuk ndërmori hapa për t’i parandaluar apo ndëshkuar.
Për Kadri Veselin, gjykata tha se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e këtij plani, kontribuoi në identifikimin dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë dhe mori pjesë dhe inkurajoi krimet.
Për Jakup Krasniqin, Trupi Gjykues tha se ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe nuk ndërhyri për të parandaluar krimet, megjithëse kishte dijeni për to.
Ndërsa për Rexhep Selimin, gjykata tha se ai inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve, kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërmori masa për t’i parandaluar.
Dënimet
Në përfundim të leximit të aktgjykimit, Trupi Gjykues shqiptoi këto dënime:
- Hashim Thaçi – 25 vite burgim
- Jakup Krasniqi – 25 vite burgim
- Kadri Veseli – 18 vite burgim
- Rexhep Selimi – 13 vite burgim
Në total, dënimet arrijnë në 81 vite burgim.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, të katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

