Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zhvilluar një vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku është pritur nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka uruar besimtarët myslimanë për festën, duke theksuar rëndësinë e saj si simbol i solidaritetit, sakrificës dhe afërsisë mes njerëzve.
Hamza tha se Kurban Bajrami është një ditë e veçantë që shërben për forcimin e lidhjeve shoqërore dhe përçimin e vlerave të përbashkëta.
“Si zakonisht, në festa të tilla vijmë për ta uruar Bashkësinë Islame, Myftiun, mikun tim Naim Tërnava, për festën e Kurban Bajramit. Shfrytëzoj rastin që të gjithë besimtarëve të besimit islam t’ua uroj këtë festë të solidaritetit dhe sakrificës, një ditë e veçantë që i bashkon njerëzit, ku ata shkojnë për ta uruar njëri-tjetrin. Kështu ka qenë, kështu do të jetë dhe kështu duhet të jetë edhe në të ardhmen”, tha Hamza.
Ai uroi gjithashtu të gjitha familjet në Kosovë për shëndet, begati dhe mirëqenie.

