Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Gjatë vizitës, Haxhiu përcolli urimet e saj për besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë e vlerave që bart kjo festë e shenjtë.
“Kam nderin që në festën e Kurban Bajramit të jem këtu në Bashkësinë Islame të Kosovës. Me këtë rast urova Myftiun Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij për festën e Kurban Bajramit. Po ashtu, shpreh urimet e mia për të gjithë besimtarët myslimanë dhe për shqiptarët kudo që janë, brenda dhe jashtë Kosovës”, tha Haxhiu.
Ajo u shpreh se Kurban Bajrami përcjell mesazhe të rëndësishme për shoqërinë dhe institucionet.
“Festa e Kurban Bajramit është festë e shenjtë e besimit islam dhe na kujton vlerat e sakrificës, solidaritetit, mirësisë, respektit dhe përkushtimit për vendin. Këto janë vlera që duhet t’i mbajmë lart dhe rreth të cilave duhet të jemi të bashkuar si institucione, qytetarë dhe si shoqëri”, theksoi ajo.

