Lideri i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se kandidatura e Justina Shiroka-Pulës është e pranueshme për partinë e tij për postin e presidentes së Kosovës.
Në një konferencë për media, Hamza ka thënë se 22 deputetët e PDK-së do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit, ndërsa ka kërkuar që fillimisht të votohet projektligji për Dhomat e Specializuara dhe më pas të procedohet me zgjedhjen e presidentes.
“22 deputetët e PDK-së janë këtu. Orët e fundit s’është dashur të ndodhë kjo, por shumë më herët. Është dashur të ketë seriozitet në këtë çështje”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka sqaruar se, ndonëse PDK-ja nuk ka zhvilluar bisedime me Shiroka-Pulën, emri i saj është i pranueshëm për partinë.
“Ne do të shkojmë në sallën e Kuvendit dhe presim të votohet ligji për Specialen. Sa i përket çështjes tjetër, edhe pse s’kemi biseduar me zonjën Shiroka-Pula, për PDK-në është emër i pranueshëm për presidente”, është shprehur Hamza.
Megjithatë, PDK-ja ka vendosur të propozojë edhe kandidaten e saj për këtë post. Hamza ka bërë të ditur se deputetja Eliza Hoxha do të jetë kundërkandidate.
“PDK-ja e propozon si kundërkandidate zonjën Eliza Hoxha. PDK-ja nuk pranon të ketë kandidate përveç këtyre dyjave. Ne po shkojmë në Kuvend, presim. Koha është e shkurtër. Jemi të interesuar ta kemi ligjin”, ka deklaruar Hamza.
Kështu, sipas deklarimeve të Hamzës, PDK-ja do të marrë pjesë në seancë dhe do të kërkojë që votimi për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të zhvillohet para procedurës për zgjedhjen e presidentes.

