Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kritikuar subjektet politike pas dështimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke i akuzuar se po kontribuojnë në thellimin e vakuumit institucional në vend.
Hamza tha se situata aktuale është në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa kritikoi veçmas Listën Serbe dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
“Vendi vazhdon me pas vakuum institucional dhe unë jam i bindur që të gjitha këto veprime që janë duke i bërë, janë në dëm vendit. Kushdo qoftë. Qoftë Lista Srpska, qoftë ndonjë parti tjetër politike, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, janë duke i bërë dëm vendit”, deklaroi Hamza.
Sipas tij, përplasjet dhe veprimet politike të subjekteve parlamentare po dëmtojnë perspektivën e vendit dhe interesin e qytetarëve.
“Janë duke dëmtuar perspektivën e vendit. Janë duke i dëmtuar qytetarët e Republikës së Kosovës. Dhe mendoj që lojërat e tilla, as nga Lëvizja Vetëvendosje as Lista Serbe nuk janë në dobi dhe në interes të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Hamza: Kushtet për referim në Gjykatën Kushtetuese janë plotësuar
Kryetari i PDK-së deklaroi gjithashtu se, sipas vlerësimit të tij, janë plotësuar kushtet ligjore që çështja të dërgohet për shqyrtim në organet kompetente të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.
“Të gjitha kushtet legale, ligjore janë të plotësuara që rasti të referohet edhe në organet e drejtësisë, kjo përfshin edhe Gjykatën Kushtetuese dhe jam i bindur që dihet përgjigjja, dihet përgjigjja”, u shpreh Hamza.
Ai shtoi se PDK-ja nuk përjashton ndërmarrjen e veprimeve ligjore, kushtetuese dhe politike, por theksoi se ato do të zhvillohen brenda rregullave ligjore dhe demokratike.
“Partia Demokratike e Kosovës nuk e përjashton edhe veprimet ligjore dhe kushtetuese dhe politike brenda rregullave ligjore e demokratike”, përfundoi Hamza.

