Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur thirrjen publike për mbështetje financiare të studentëve përmes bursës së mobilitetit, e cila synon të mbulojë një pjesë të shpenzimeve të udhëtimit nga vendbanimi deri në institucionin e arsimit të lartë.
Mbështetja financiare do të përcaktohet në bazë të distancës ndërmjet vendbanimit të studentit dhe institucionit ku ai studion, ndërsa pagesat do të bëhen sipas kalendarit akademik.
Sipas njoftimit të ministrisë, vlera e bursës do të jetë:
- 30 euro për distancat deri në 20 kilometra;
- 50 euro për distancat nga 21 deri në 50 kilometra;
- 70 euro për distancat mbi 50 kilometra.
Kush ka të drejtë të aplikojë?
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë studentët e rregullt të nivelit Bachelor, të cilët ndjekin studimet në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë të akredituara në Republikën e Kosovës.
Aplikimi do të bëhet online përmes platformës e-Kosova, ndërsa afati është i hapur nga 26 nëntori deri më 10 dhjetor 2026.
Studentët mund të aplikojnë përmes këtij linku:
Aplikimi për bursën e mobilitetit në e-Kosova
Ministria ka bërë të ditur se përfituesit do t’i marrin mjetet financiare në baza tremujore, përmes transferimit në llogaritë e tyre personale bankare.
Ku mund të gjenden kriteret e aplikimit?https://mash.rks-gov.net/…/11/Bursat-e-Mobilitetit.pdf

