Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë arrestuar tre persona të dyshuar për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash, gjatë një aksioni të zhvilluar në Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Gjatë operacionit janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë dhe prova të tjera materiale, ndërsa vlera e pasurisë së sekuestruar raportohet të jetë mbi një milion euro.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, operacioni është zhvilluar të mërkurën, më 25 nëntor 2026, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale.
Në aksion kanë marrë pjesë hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, njësi të tjera hetimore, Njësitë Speciale (FIT) dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Kontrollet janë kryer në katër lokacione të ndryshme, ku tre persona janë arrestuar në flagrancë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale:
- Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar;
- Mashtrimi;
- Shpëlarja e parave.
Çfarë u sekuestrua gjatë aksionit?
Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të provave materiale dhe pasurisë, përfshirë:
- 19 vetura;
- 1 motoçikletë;
- 6 telefona;
- 5 kompjuterë;
- 6 USB;
- 4.095 euro para të gatshme;
- 11,28 gramë substancë të dyshuar narkotike;
- Dokumente të ndryshme që lidhen me rastin.
Të dyshuarit dyshohet se mashtruan shtetas të huaj përmes platformave të rreme të investimeve
Sipas hetimeve të deritanishme, ekziston dyshimi i bazuar se tre të arrestuarit, përmes sistemeve kompjuterike dhe komunikimeve elektronike e telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj.
Autoritetet dyshojnë se ata i kanë vënë këta persona në lajthitje dhe i kanë nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi, duke i shtyrë të ndërmarrin veprime që kanë dëmtuar pasurinë e tyre.
Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe praktikat ndërkombëtare.

