Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar deklaratat e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti për rritjen e punësimit në Kosovë, duke i cilësuar ato si propagandë. Ajo ka publikuar disa të dhëna statistikore, përmes të cilave pretendon se shifrat tregojnë një pasqyrë tjetër të tregut të punës në vend.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Bajrami ka theksuar se rreth 74 për qind e grave dhe 40 për qind e burrave në moshë pune në Kosovë janë jashtë tregut të punës. Sipas saj, këta persona nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke kërkuar aktivisht punë, duke iu referuar të dhënave të institucioneve vendore.
Ajo ka përmendur edhe Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, konkretisht të dhënat në faqen 86, sipas të cilave në tremujorin e tretë të vitit 2025, 33,4 për qind e të rinjve në Kosovë nuk ishin as në punë, as në shkollim dhe as në trajnim.
Bajrami i referohet të dhënave të Trustit
Deputetja e LDK-së ka publikuar gjithashtu një tabelë me të dhëna nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, ku, sipas saj, paraqitet numri i personave që kanë paguar kontribute pensionale për të gjithë 12 muajt e secilit vit.
Sipas përllogaritjes së Bajramit, nga viti 2021 deri në vitin 2025 në Kosovë janë shtuar 41.754 vende pune. Ajo vlerëson se kjo shifër është dukshëm më e ulët krahasuar me pesëvjeçarin paraprak.
Bajrami thekson se këto të dhëna i referohen punësimit të qëndrueshëm, përkatësisht personave që paguajnë kontribute pensionale në Trust gjatë të 12 muajve të vitit.
“Kaq sa i përket punësimit”, ka përfunduar reagimin e saj deputetja e LDK-së.


