Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Kosovë po kërkohet unitet dhe bashkërendim institucional për hapat e mëtejshëm.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje institucioneve dhe partive politike që t’i lënë mënjanë përçarjet dhe akuzat e ndërsjella, duke kërkuar një qasje të përbashkët për veprimet që mund të ndërmerren në vijim.
Haxhiu ka thënë se në këtë periudhë Kosovës nuk i duhen përçarjet dhe akuzat e ndërsjella, por koordinimi institucional dhe politik.
“Në këto momente të rënda, nuk na duhen përçarje, se kush qenka spiun e kush tradhtar. Ajo që na duhet është t’i lëmë anash ato dhe të koordinohemi për veprimet që duhet t’i bëjmë tutje”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, kjo çështje duhet të trajtohet si prioritet, ndërsa veprimet e ardhshme duhet të jenë të koordinuara, në mënyrë që të shmanget çdo hap që, sipas saj, mund t’ia rëndojë më tej pozitën Kosovës apo edhe pozitën e të dënuarve në Hagë.
“Gjithçka tjetër mendoj që e vështirëson edhe pozitën e Republikës së Kosovës, por edhe vetë pozitën e personave që u dënuan me kaq shumë vite burgim. Prandaj edhe e theksoj që duhet të bashkëpunojnë, duhet ta kemi prioritet këtë çështje”, ka shtuar Haxhiu, transmeton RTK.
Haxhiu kritikon PDK-në
Haxhiu ka kritikuar edhe vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe të Qeverisë.
Ajo e ka cilësuar si të pakuptimtë këtë veprim, i cili, sipas saj, është ndërmarrë dy ditë para vendimit të Gjykatës Speciale.

