Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka shprehur bindjen se zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit do të prodhojnë të njëjtin rezultat si ato të dhjetorit të vitit të kaluar.
Pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu deklaroi para mediave se vendi nuk do të duhej të shkonte në zgjedhje, por sipas saj, kjo ndodhi për shkak të mungesës së vullnetit politik nga partitë opozitare.
“E kam theksuar në vazhdimësi që nuk ka pasur nevojë që vendi të shkojë në zgjedhje, por për shkak të mungesës së vullnetit politik të partive opozitare ka qenë e pamundur. Tani jemi në një proces zgjedhor, prandaj janë qytetarët ata që do t’i vlerësojnë veprimet e partive politike ose të individëve. Njësoj ka ndodhur edhe në dhjetorin e vitit 2025, njësoj do të ndodhë edhe në qershorin e 2026”, deklaroi Haxhiu.
Ajo u pyet edhe për largimin e disa deputetëve nga koalicioni VV-GUXO drejt listës së përbashkët të Vjosa Osmanit me LDK-në, por nuk komentoi drejtpërdrejt emrat, duke theksuar se qytetarët do të japin verdiktin e tyre për secilin veprim politik.
Deklarata e Haxhiut vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa partitë tashmë kanë hyrë zyrtarisht në garën për zgjedhjet parlamentare që pritet të riformatojnë skenën politike në Kosovë.

