Nënkryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka vënë në pikëpyetje mundësinë që partia e tij t’i përgjigjet një ftese eventuale për takim nga kryeministri Albin Kurti, në prag të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Haziri deklaroi se deri më tani nuk ka një ftesë konkrete dhe se nuk është e qartë pse opinioni publik po mbahet në pritje për një takim që ende nuk është materializuar.
“Nuk e di pse mbahet publiku në shpresë se do të ketë një takim. Ai mund të ndodhë edhe sonte, nata është e gjatë, e lëre më java që është e gjatë”, u shpreh ai.
Sipas tij, çdo ftesë eventuale duhet të ketë përmbajtje të qartë dhe të jetë e pranueshme për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se shumë çështje tashmë janë sqaruar brenda partisë.
“Ftesa duhet të jetë bindëse për Abdixhikun, sepse të gjitha gjërat janë sqaruar”, tha Haziri.
Ai shtoi se në ditët e fundit, sipas vlerësimit të tij, kryeministri Kurti ka qenë më shumë i fokusuar në deklarata publike sesa në hapa konkretë politikë.
“Këto ditë Kurti vetëm po arsyeton para gazetarëve, iu ka ikur fokusi”, deklaroi Haziri.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kyç politik, vetëm pak ditë para afatit për zgjedhjen e presidentit, ku mungesa e konsensusit mes partive kryesore vazhdon të mbajë situatën të paqartë.Burimi: Rtv 21.

