Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka vlerësuar progresin e Shqipëria në rrugën drejt integrimit evropian, duke e cilësuar anëtarësimin deri në vitin 2030 si një objektiv realist, nëse vazhdohet me ritmin aktual të reformave.
Në deklaratat e saj, Kallas theksoi se Shqipëria po shënon përparim të dukshëm dhe mbetet ndër vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit të Bashkimi Evropian. Megjithatë, ajo paralajmëroi se rruga drejt anëtarësimit nuk varet vetëm nga reformat e brendshme, por edhe nga qëndrimi i vendeve anëtare.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në vitin 2030 është një objektiv realist nëse punohet seriozisht. Por kjo varet edhe nga shtetet anëtare,” u shpreh Kallas.
Ajo vuri theks të veçantë te sfida e mbështetjes publike në vendet e BE-së, duke theksuar se opinionet e qytetarëve evropianë ndaj zgjerimit janë bërë më skeptike vitet e fundit.
“Sot duhet të punojmë më shumë me opinionin publik evropian. Sondazhet tregojnë se mbështetja për zgjerimin po bie dhe kjo është një sfidë që duhet adresuar,” theksoi ajo.
Në të njëjtën kohë, Kallas nënvizoi rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar atë një faktor kyç për integrimin evropian të të dy vendeve dhe për stabilitetin e rajonit.
Deklaratat e saj vijnë në një moment kur procesi i zgjerimit të BE-së po rikthehet në fokus, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë të përshpejtojnë rrugën drejt anëtarësimit.

