Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve që të shtojnë masat e sigurisë për mbrojtjen e punëtorëve, pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) për erëra të forta.
Në një njoftim publik, Inspektorati ka kërkuar kujdes të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë dhe në të gjitha veprimtaritë që zhvillohen në ambiente të hapura.
Rreziku është veçanërisht i theksuar gjatë punëve në lartësi, në skela, kulme dhe hapësira të ekspozuara drejtpërdrejt ndaj erërave të forta.
Inspektorati u ka bërë thirrje punëdhënësve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të mos lejojnë zhvillimin e aktiviteteve të punës në rastet kur kushtet atmosferike paraqesin rrezik për sigurinë e punëtorëve.
“Siguria dhe shëndeti i punëtorëve duhet të mbeten prioritet në çdo rrethanë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Qendror të Punës.

