Ushtria izraelite, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), ka publikuar për herë të parë një hartë që tregon dislokimin e ri të trupave të saj në jug të Libanit, duke sinjalizuar krijimin e një “zone sigurie” brenda territorit libanez.
Sipas të dhënave të publikuara, zona e kontrollit izraelit shtrihet rreth 5 deri në 10 kilometra në brendësi të Libanit, ku janë marrë nën kontroll disa fshatra të braktisur pranë kufirit.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pas armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollah, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa tensionet në terren mbeten të larta.
Sipas IDF-së, në këtë zonë janë angazhuar pesë divizione ushtarake, të mbështetura edhe nga forcat detare, me qëllim shkatërrimin e infrastrukturës së Hezbollahut dhe parandalimin e sulmeve ndaj veriut të Izraelit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se çdo objekt i përdorur nga Hezbollah pranë kufirit do të shkatërrohet, ndërsa rrugët apo zonat e dyshuara për vendosje eksplozivësh do të neutralizohen menjëherë.
Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga pala libaneze apo nga Hezbollah, ndërsa mbetet e paqartë nëse civilët e zhvendosur do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre.
Situata në kufirin Izrael–Liban vijon të jetë e brishtë, dhe lëvizjet e fundit të ushtrisë izraelite rrisin shqetësimet për një zgjerim të mëtejshëm të pranisë ushtarake në terren.

