Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, ka lënë të kuptohet se është shumë pranë një transferimi të madh në La Liga.
Në një intervistë për emisionin “Sport Focus”, Asani deklaroi se ka oferta konkrete nga disa vende, por destinacioni më i mundshëm mbetet Spanja.
“Kam oferta nga Spanja, Arabia dhe Japonia… por me 95% do të transferohem në Spanjë. Është një ekip shumë i madh,” u shpreh ai.
Aktualisht pjesë e klubit iranian Esteghlal FC, Asani theksoi se vendimi final do të merret në koordinim me klubin e tij aktual, për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të gjitha palët.
Ai gjithashtu la të kuptohet se një ofertë nga një klub i madh evropian është e vështirë të refuzohet, duke shtuar se eksperiencat e tij në kampionate të largëta e kanë përgatitur për hapin e radhës në karrierë.
Nëse transferimi realizohet, ky do të ishte një nga hapat më të rëndësishëm në karrierën e Asanit dhe një tjetër sukses për futbollistët shqiptarë në arenën ndërkombëtare.

