Komandanti i KFOR, Ozkan Ulutas, ka deklaruar nga Bruksel se misioni i NATO-s mbetet një faktor kyç për stabilitetin në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në një mesazh publik, Ulutas bëri të ditur se gjatë qëndrimit në selinë e NATO ka informuar ambasadorët e vendeve anëtare mbi situatën dhe aktivitetet e misionit në terren.
Ai theksoi se KFOR-i vazhdon të jetë një dëshmi konkrete e përkushtimit të aleancës për sigurinë në rajon, duke falënderuar vendet partnere për mbështetjen e vazhdueshme.
Ulutas nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me të gjithë akterët, përfshirë institucionet e sigurisë në Kosovë, komunitetin ndërkombëtar dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.
Ai theksoi se krijimi i kushteve për dialog politik mbetet thelbësor për paqen afatgjatë, duke rikujtuar mbështetjen e plotë të NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinë dhe Beograd.
“Në fund, stabiliteti varet nga zgjedhja e të gjitha palëve për diplomaci në vend të dhunës. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, jo ushtarake,” ka theksuar Ulutas.
Ai shtoi se KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në mbështetje të këtij procesi dhe në garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.

