Një operacion i Guardia di Finanza në zonën e Brescias ka çuar në zbulimin e një sasie të madhe droge dhe arrestimin e një 22-vjeçari me origjinë shqiptare.
Autoritetet zbuluan një garazh të shndërruar në depo droge në Sarnico, ku u sekuestruan plot 110 kilogramë kokainë, të ndarë në pako njëkilogramëshe dhe të gatshme për shpërndarje në treg.
Operacioni u koordinua nga njësitë speciale kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar, përkatësisht GOE dhe GICO, ndërsa vlera e drogës së kapur llogaritet të arrijë mbi 4 milionë euro në tregun me shumicë dhe deri në 10 milionë euro në shitjen me pakicë.
Hetimet nisën pas sinjalizimeve të banorëve për lëvizje të dyshimta në zonë. Pas monitorimit, policia ndërhyri duke arrestuar të riun, i cili dyshohet se kishte rolin e kujdestarit të drogës për llogari të një rrjeti kriminal me lidhje ndërkombëtare.
Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të identifikuar dhe arrestuar personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

