Ish-kampioni botëror i shahut dhe një nga kritikët më të njohur të Kremlinit, Garry Kasparov, ka paralajmëruar se presidenti rus Vladimir Putin mund të përpiqet ta zgjerojë luftën përtej Ukrainës, madje edhe drejt vendeve evropiane, nëse presioni ndaj Rusisë nuk rritet.
Në një intervistë për median italiane La Repubblica, Kasparov tha se Rusia është futur në një cikël të rrezikshëm, ku lufta është bërë element thelbësor për mbijetesën politike të Putinit.
“Rusia është e bllokuar. Putini nuk mund ta përfundojë luftën pa fitore, ndërsa në terren nuk po arrin sukses. Kjo e shtyn drejt një lufte të përhershme”, deklaroi Kasparov.
Ai paralajmëroi se vendet baltike dhe Evropa Lindore janë të vetëdijshme për rrezikun që konflikti të zgjerohet.
“Nëse ndonjëherë ka një ndërprerje të luftimeve, ata do të kërkojnë një front tjetër. Kjo luftë mund vetëm të zgjerohet. Nuk mund të negociosh me një kancer – ai duhet të zhduket”, tha ai.
Kasparov vlerësoi se, megjithëse brenda Rusisë po shtohen problemet ekonomike dhe pakënaqësitë në elitë, aparati i sigurisë së Putinit vazhdon të jetë i fortë.
Sipas tij, aktualisht nuk ekziston ndonjë lëvizje e fuqishme proteste që mund të rrezikojë pushtetin në Moskë.
“Na pëlqen apo jo, tani për tani nuk ka asnjë shenjë protestash në Rusi. Ndryshimi mund të ndodhë vetëm nëse Ukraina fiton luftën”, theksoi ai.
Kasparov shtoi se NATO dhe vendet evropiane kanë ende potencial të mjaftueshëm ushtarak për të frenuar Rusinë, por paralajmëroi se nevojitet një riorganizim i mekanizmave të sigurisë, veçanërisht nëse SHBA do të zvogëlojë rolin e saj.
Ai ngriti gjithashtu pyetje mbi gatishmërinë e vendeve evropiane për t’u përballur me pasojat e një konflikti të mundshëm të zgjeruar.
“Nëse SHBA tërhiqet, kush do ta garantojë frenimin bërthamor? Londra? Parisi?”, pyeti Kasparov.
Në fund, ai vlerësoi se Ukraina me rezistencën e saj ka luajtur një rol vendimtar për sigurinë e Evropës.
“Kievi e shpëtoi Evropën dhe ende po e mbron atë. Nëse Putini fiton, bota kthehet te ligji i më të fortit”, përfundoi ai.

