Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka ngritur alarmin për shtimin e rasteve të SMS-ve mashtruese, të cilat po paraqesin rrezik serioz për sigurinë financiare të qytetarëve.
Sipas Policisë, pavarësisht apeleve të vazhdueshme, kohët e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e rasteve ku qytetarët po pranojnë mesazhe telefonike të rreme që synojnë marrjen e të dhënave personale dhe bankare.
Në këto mesazhe, qytetarët njoftohen në mënyrë të rreme se llogaritë e tyre bankare do të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime urgjente. Mesazhet përmbajnë lidhje të dyshimta, përmes të cilave kërkohet futja e të dhënave personale dhe bankare.
Policia ka bërë të ditur se, pasi viktimat plotësojnë këto informacione, persona të paautorizuar arrijnë të kenë qasje në llogaritë bankare dhe tërheqin mjetet financiare në mënyrë të kundërligjshme.
Autoritetet kanë dhënë disa rekomandime për qytetarët:
- Të mos klikojnë në linka të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve ose email-eve;
- Të mos ndajnë të dhëna personale, PIN-e, fjalëkalime apo kode verifikimi;
- Të kontaktojnë drejtpërdrejt bankën për çdo paqartësi;
- Të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta te banka dhe Policia.
Policia e Kosovës ka apeluar për vigjilencë maksimale, duke theksuar se institucionet bankare nuk kërkojnë asnjëherë përditësim të të dhënave përmes lidhjeve të dërguara në SMS.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e qytetarëve dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj personave që kryejnë këto veprime të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.

