Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar urime për zgjedhjen në detyrë nga presidentët e Finlandës, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit të Presidencës, presidenti finlandez, Alexander Stubb, i ka uruar Shiroka-Pulës sukses në detyrën e re, duke shprehur gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit në mbështetje të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe integrimit evropian.
Ndërkaq, presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, ka shprehur bindjen se marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen. Ajo ka riafirmuar mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën në forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit, avancimin e parimeve demokratike dhe bashkëpunimin rajonal.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjithashtu e ka uruar Shiroka-Pulën, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova do të qëndrojnë së bashku përballë sfidave dhe në rrugën drejt së ardhmes evropiane.
Urime ka përcjellë edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. Ajo ka shprehur besimin se udhëheqja e re do të kontribuojë në forcimin e dialogut dhe kohezionit shoqëror.
Siljanovska-Davkova ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe ka shprehur gatishmërinë për t’i dhënë shtysë të re bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

