Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të premten, më 8 maj 2026, do të realizohen punime të planifikuara për siguri të sistemit energjetik dhe projekte investive, të cilat do të shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike në disa rajone të vendit.
Sipas njoftimit, ndërprerjet do të prekin zona në Prishtinë, Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.
Në rajonin e Prishtinës, nga ora 10:00 deri në 15:30, pa energji elektrike do të mbesin disa zona të Sharbanit, Bellopojës, Tërnavës dhe Vanovcës, për shkak të pastrimit të trasesë.
Në Pejë, ndërprerje do të ketë në zonën e Deçanit, ku nga ora 09:30 deri në 17:00 do të mbesin pa rrymë fshatrat Baran, Prapaqan, Rashiq, Vranoc dhe disa lokalitete të tjera, për shkak të ndërrimit të transformatorit dhe punimeve përcjellëse në linjë.
Ndërkohë, në rajonin e Prizrenit janë paralajmëruar ndërprerje më të gjera. Në zonën e Zhupës dhe Prevallës, nga ora 10:00 deri në 15:30, do të preken dhjetëra fshatra dhe biznese për shkak të pastrimit të trasesë. Po ashtu, në Dragash dhe Zhur, nga ora 09:00 deri në 15:00, do të ketë ndërprerje të energjisë për shkak të zhvendosjes së kabllove dhe punimeve teknike në nënstacionin Prizreni 1.
Në Ferizaj, ndërprerjet do të prekin zonat e Gaçkës dhe Magurës, ku pa energji do të mbesin disa fshatra dhe biznese private për shkak të pastrimit të trasesë dhe ndërrimit të përçuesve e izolatorëve të dëmtuar.
Edhe në Gjilan janë paralajmëruar ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike. Nga ora 10:30 deri në 13:30, pa rrymë do të mbesin disa fshatra të zonës së Uglarit për shkak të kyçjes së një trafostacioni të ri në kuadër të një projekti investiv.

