Deputeti i zgjedhur i Lidhja Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka ironizuar zhvillimet e fundit brenda Lidhja Demokratike e Kosovës, pas përplasjeve publike mes kreut të partisë dhe dy degëve lokale që kërkuan dorëheqjen e tij.
Reagimi i Kërçelit vjen pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, iu kundërpërgjigj kërkesave të kryetarëve të degëve në Pejë dhe Lipjan, Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, të cilët i kërkuan dorëheqjen pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në reagimin e tij, Abdixhiku e nisi postimin me frazën: “Si nuk u ngopën kurrë?!”, duke akuzuar për sabotim të brendshëm dhe duke ua kërkuar dorëheqjen morale vetë kritikëve të tij.
Pikërisht këtë frazë e përdori Kërçeli për të ironizuar situatën në LDK.
“Të njëjtën pyetje e kisha edhe unë gjatë fushatës për lidershipin e LDK-së. Si nuk u ngopët kurrë?”, ka shkruar Kërçeli.
Deklarata e deputetit të VV-së vjen në një moment tensionesh të shtuara brenda LDK-së, ku pas rezultatit zgjedhor janë shtuar zërat kritikë ndaj lidershipit aktual dhe po kërkohet reflektim i thellë brenda partisë.

