Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka zgjedhur dy anëtarë të rinj nga radhët e gjykatave të shkallës së parë.
Anëtarët e zgjedhur janë Valentina Sopjani, e cila mori 212 vota, dhe Agron Maxhuni, i cili siguroi 204 vota.
Mandati i tyre si anëtarë të KGJK-së do të nisë më 8 korrik.
Zgjedhja e tyre u bë gjatë tubimit qendror të mbajtur të martën, pas përfundimit të procesit të brendshëm të votimit në gjykatat themelore.
Para fillimit të procesit të votimit, u bë e ditur se numri i përgjithshëm i gjyqtarëve me të drejtë vote ishte 354. Nga ky numër, 303 gjyqtarë votuan, ndërsa 51 të tjerë munguan.
Në garë për dy pozitat e anëtarëve të KGJK-së ishin katër kandidatë: Agron Maxhuni, Diora Bajrami, e cila mori 64 vota, Ilir Bytyqi me 84 vota, si dhe Valentina Sopjani.

