Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Republika e Kosovës e ka shpallur persona non grata ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezana Paunoviq, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin tranzit në territorin e Kosovës.
Vendimi vjen pas deklaratës së Paunoviqit, e cila kishte thënë se, “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998”.
Sveçla e cilësoi këtë deklaratë si vazhdimësi të një politike shtetërore që, sipas tij, për dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunoviq e kam shpallur persona non grata, të padëshirueshme, me ndalim të përhershëm të hyrjes apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës. Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.
Ai shtoi se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me një përgjigje të vendosur institucionale.
“Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”, ka theksuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme.

