Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në mbrëmjen e 10 majit janë paraqitur për certifikim 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi se aplikimet online për subjektet e reja politike do të mbyllen në mesnatë.
“Deri rreth orës 19:00 të ditës së sotme, KQZ ka pranuar aplikimin për certifikim nga 3 koalicionet e njoftuara më herët për këto zgjedhje, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur”, deklaroi Elezi.
Sipas tij, subjektet që kanë aplikuar për certifikim janë:
- Koalicioni Lëvizja VETËVENDOSJE!, i përbërë nga:
- Lëvizja Vetëvendosje
- Guxo
- Alternativa
- Partia Shqiptare Demokristiane
- Koalicioni Koalicija VAKAT, i përbërë nga:
- Demokratska Stranka Bošnjaka
- Demokratska Stranka Vatan
- Koalicioni Ashkalitë e Bashkuar, i përbërë nga:
- Partia e Ashkalinjëve për Integrim
- Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës
- Lëvizja për Bashkëveprim
Po ashtu, për certifikim kanë aplikuar edhe:
- Nisma qytetare Složno Pobeđujemo
- Kandidati i pavarur Esmir Kasi
Elezi sqaroi se partitë politike ekzistuese konsiderohen automatikisht të certifikuara sipas ligjit dhe nuk kanë nevojë për aplikim të ri.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se më 12 maj përfundon afati për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë nga të gjitha subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare.

