Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin me kujdes ujin e pijshëm, pas rritjes së ndjeshme të konsumit gjatë sezonit të verës.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, rritja e kërkesës po ndikon në furnizimin e qëndrueshëm me ujë, duke e bërë të domosdoshëm përdorimin racional të këtij burimi jetik.
KRU “Prishtina” u ka kërkuar qytetarëve të shmangin përdorimin e ujit të pijshëm për ujitjen e oborreve dhe kopshteve, larjen e trotuareve dhe hapësirave publike apo private, mbushjen e pishinave dhe rezervuarëve privatë, si dhe lënien e çezmave të hapura pa nevojë.
Në apel theksohet se bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për të garantuar furnizim të rregullt dhe të qëndrueshëm për familjet, institucionet dhe bizneset.
“Me bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e secilit qytetar, mund të sigurojmë furnizim të rregullt dhe të qëndrueshëm me ujë të pijshëm… Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe kontributin tuaj në ruajtjen e këtij burimi të çmuar jetik”, thuhet në njoftim.

