Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se të dielën do të vendosen kufizime të përkohshme në qarkullim për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara.
Sipas njoftimit, në autoudhët e Kosovës qarkullimi i këtyre automjeteve do të ndalohet nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat pritet të arrijnë ose të tejkalojnë 32°C.
Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime, dhe qarkullimi do të zhvillohet normalisht.
Nga kjo masë përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë lëvizjen sipas orarit të përcaktuar, me qëllim ruajtjen e infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta.

