Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se sot është përuruar Parku i Erës në Zatriq, një projekt me vlerë prej 106 milionë eurosh, i cili pritet të rrisë kapacitetet e Kosovës për prodhimin e energjisë së pastër.
Sipas Kurtit, parku do të ketë prodhim vjetor prej rreth 185 gigavat-orësh energji, sasi që, sipas tij, mbulon nevojat vjetore për energji të rreth 45 mijë familjeve.
Parku i ri përbëhet nga 12 turbina, secila me kapacitet prej 6.1 megavatësh.
“Me këtë park të ri të erës, po shtojmë një tjetër gur në themelet e një të ardhmeje energjetike më të pastër, më të sigurt dhe më të qëndrueshme në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se nga ky kapacitet i ri energjetik, Kosova pritet të kursejë mbi 27 milionë euro në vit.
Kurti ka shprehur mirënjohje për kompaninë EV Wind Park, partnerët Çalık Renewables dhe Eurokos Holding, si dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin dhe realizimin e projektit.

