Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar opozitën për bllokim të punës institucionale dhe pengim të reformave kyçe për integrimin evropian, duke paralajmëruar humbje të konsiderueshme financiare nga Bashkimi Evropian.
Në mbledhjen e parë të Këshillit ministror për integrim evropian, ku u diskutua zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, Kurti tha se mungesa e një opozite funksionale në Kuvend po ndikon drejtpërdrejt në realizimin e objektivave strategjike të vendit.
Sipas tij, nëse Kuvendi do të funksiononte normalisht, shumica e reformave do të ishin përmbyllur deri në fund të qershorit.
“Po përballemi me një opozitë që zgjedh të mos marrë pjesë në Kuvend, e kur merr pjesë, kërkon të bllokojë ligjet. Kjo është humbje kohe dhe mjetesh për shtetin”, deklaroi Kurti.
Ai bëri të ditur se 10 reforma me afat deri më 30 qershor janë në proces, por nëntë prej tyre tashmë konsiderohen të rrezikuara, gjë që sipas tij mund të sjellë humbje prej miliona eurosh nga fondet e Bashkimit Evropian.
Kurti theksoi se bëhet fjalë për 12 projektligje të përgatitura nga ministritë, të harmonizuara me legjislacionin dhe standardet e BE-së, por që nuk mund të miratohen për shkak të mungesës së funksionalitetit të Kuvendit.
Ai përsëriti qëndrimin se zgjedhjet e jashtëzakonshme ishin të panevojshme, duke pretenduar se qeveria kishte ofruar zgjidhje politike, përfshirë edhe mundësinë që presidenti i vendit të propozohej nga opozita.
“Ky veprim i papërgjegjshëm po na kushton me humbje të miliona eurove, me humbje kohe dhe me ngadalësim të procesit të integrimit evropian”, u shpreh Kurti.
Pavarësisht situatës politike, ai siguroi se ekzekutivi do të vazhdojë përgatitjet teknike për të mos humbur afatet e ardhshme, duke shtuar se paketa e reformave 2024–2026 përfshin 79 hapa konkretë me vlerë mbi 579 milionë euro.
Kurti u shpreh optimist se pas zgjedhjeve, institucionet do të zhbllokohen dhe procesi i reformave do të rifitojë ritëm.

