Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për vazhdimin dhe zgjerimin e mbështetjes për të rinjtë në komunën e Pejës, duke theksuar se programet e bursave dhe politikat arsimore do të mbeten në fokus të qeverisë.
Në një postim publik, Kurti tha se rinia në Pejë do të përfitojë nga programet ekzistuese dhe të reja, përfshirë bursat “Mobiliteti për studentë”, bursat në fushat STEM, arsimin dual, arsimin e lartë falas, si dhe Kartën Rinore Evropiane.
Ai shtoi se këto politika do të zbatohen në të gjithë Kosovën, me qëllim rritjen e mundësive për studentët dhe fuqizimin e të rinjve në tregun e punës.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se prioritetet për Pejën përfshijnë zhvillimin ekonomik, infrastrukturor dhe turistik.
Sipas tij, në plan janë disa projekte kryesore, përfshirë krijimin e Qendrës Rajonale të Turizmit “Dukagjini”, renovimin e Pallatit të Sporteve “Karagaçi”, ndërtimin e Stadiumit të Qytetit, si dhe rindërtimin e rrugës Pejë–Kuçishtë–Çakorr.
Kurti tha se këto investime synojnë fuqizimin e Pejës si një qendër të rëndësishme turistike dhe ekonomike në vend.

