Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar funksionalizimin e Agjencisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe themelimin e Fondit për Inovacion, me qëllim mbështetjen e bizneseve të reja, zhvillimit teknologjik dhe kërkimit shkencor.
Në kuadër të hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week 2026), të organizuar nga Qendra e Kosovës për Inovacion (ICK), nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka theksuar rëndësinë e ndërmarrësisë për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Sipas të dhënave që ka prezantuar kryeministri, gjatë dekadës së fundit në Kosovë janë regjistruar mbi 118 mijë biznese.
Ai ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar, eksporti i shërbimeve kompjuterike, informative dhe të telekomunikacionit ka arritur në rreth 400 milionë euro, duke shënuar rritje prej 14 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Sipas Kurtit, kjo normë e rritjes është rreth trefish më e lartë se norma e rritjes së Bruto Produktit Vendor.
Fondi për Inovacion do të mbështesë startup-et dhe kërkimin shkencor
Kurti ka deklaruar se synimi i Qeverisë për vitet e ardhshme është ndërtimi i një ekonomie që prodhon dhe eksporton më shumë, duke krijuar produkte dhe shërbime me vlerë më të lartë.
“Një ide e lindur në Kosovë duhet të ketë mundësi të rritet këtu dhe të dalë prej këtu në botë”, ka shkruar ai në Facebook.
Për realizimin e këtij objektivi, kryeministri ka paralajmëruar funksionalizimin e Agjencisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe themelimin e Fondit për Inovacion.
Sipas tij, këto mekanizma synojnë mbështetjen e ideve inovative, bizneseve të reja, investimeve në kërkim dhe zhvillim shkencor, digjitalizimit dhe përdorimit të teknologjive të avancuara.
Bashkëpunim më i madh ndërmjet universiteteve dhe bizneseve
Një tjetër prioritet i paralajmëruar është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, institucioneve kërkimore dhe sektorit privat.
Kurti ka theksuar se njohuritë dhe rezultatet e kërkimeve shkencore duhet të shndërrohen në produkte dhe shërbime konkrete që mund të përdoren në treg.
Ndërmarrësit inovativë, sipas tij, do të mbështeten përmes programeve të inkubimit, mentorimit, qasjes në financim dhe krijimit të lidhjeve me investitorë dhe tregje ndërkombëtare.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe përfshirjes së grave dhe vajzave në inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe pjesëmarrjes më të madhe të Kosovës në programet evropiane të kërkimit shkencor.
Kryeministri ka theksuar se inovacioni dhe teknologjia do të jenë ndër prioritetet e zhvillimit ekonomik, me synim rritjen e produktivitetit, konkurrueshmërisë së bizneseve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

