Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar përvjetorin e masakrës në Nabërgjan të Pejës, ku në vitin 1999 u vranë 31 civilë shqiptarë.
Në mesazhin e tij, Kurti theksoi se viktimat – burra, gra dhe fëmijë të moshave nga 13 deri në 95 vjeç – ishin të pambrojtur dhe u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe kërkonin të jetonin të lirë në vendin e tyre.
Ai e cilësoi këtë krim si pjesë të një politike të organizuar nga regjimi i Slobodan Milošević në Beograd, me qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, duke shtuar se ky plan dështoi dhe se Kosova sot është e lirë.
Kurti nënvizoi se, pavarësisht arritjeve në paqe dhe zhvillim, drejtësia mbetet kusht i domosdoshëm për mbylljen e plagëve të së kaluarës.
Ai bëri thirrje ndaj institucioneve të drejtësisë, në veçanti Prokurorisë Speciale, që të veprojnë pa vonesë për ndjekjen penale të përgjegjësve për krimet e luftës, edhe në mungesë.
“Pa drejtësi, plagët mbeten të hapura”, u shpreh Kurti, duke shtuar se përkujtimi i së kaluarës është zotim që krime të tilla të mos përsëriten kurrë.
Në fund, ai nderoi kujtimin e dëshmorëve dhe martirëve të luftës, duke e cilësuar përparimin e Kosovës dhe jetën në paqe si dëshmi të fitores.

