Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim përfaqësues të organizatave joqeveritare, intelektualë dhe përfaqësues të tjerë nga Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku.
Gjatë takimit, Kurti ka deklaruar se shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë të përballen me shkelje të të drejtave të njeriut.
Ai tha se qasja e Republikës së Kosovës do të jetë vazhdimi i mbështetjes për qytetarët e Luginës përmes formave të ndryshme, duke përfshirë mbështetjen për studentët, fëmijët dhe kategoritë e tjera.
Kurti theksoi gjithashtu se Kosova po avokon në arenën ndërkombëtare për të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe për situatën e komunitetit shqiptar në Sanxhak.
Palët kanë diskutuar edhe për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme institucionale e shoqërore, me qëllim të avancimit të të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në këto treva.

