Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka prezantuar aktivitetet që do të zhvillohen në Kosovë dhe në Hagë në prag të 16 shtatorit, kur pritet shpallja e aktgjykimit në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një konferencë për media, përfaqësuesit e platformës, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, kanë bërë të ditura detajet e aktiviteteve të planifikuara.
Tasholli njoftoi se “Liria ka Emër” do të organizojë një tubim paqësor në Hagë, në bashkëpunim me mërgatën shqiptare. Aktiviteti do të nisë më 15 shtator, në orën 22:00, dhe do të vazhdojë gjatë natës deri më 16 shtator, në orën 10:00, kur pritet shpallja e vendimit.
“Më 15 shtator duam ta shndërrojmë Hagën në një ‘Natë të Pritjes’. Së bashku me mërgatën tonë do të qëndrojmë aty gjatë natës, në mënyrë paqësore, dinjitoze dhe të organizuar, deri në momentin e shpalljes së vendimit. Kosova dhe diaspora do të presin bashkë”, tha Tasholli.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve në diasporë që, aty ku kanë mundësi, t’i bashkohen tubimit, duke theksuar se organizatorët do të bashkëpunojnë me autoritetet holandeze dhe do të respektojnë të gjitha ligjet, rregullat dhe masat e sigurisë.
Aktivitetet në komunat e Kosovës
Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, prezantoi aktivitetet që po zhvillohen në Kosovë në bashkëpunim me komunat.
Ajo falënderoi komunat e Prishtinës, Skenderajt, Vushtrrisë, Vitisë dhe Prizrenit për bashkëpunimin në vendosjen e orëve të numërimit mbrapsht deri më 16 shtator, si dhe për aktivitetet dhe dekorimin e hapësirave publike.
“Nga Prishtina në Skenderaj, Vushtrri, Viti e Prizren, ‘Ora e Pritjes’ po përçon një mesazh të përbashkët: Kosova po pret”, tha Hoxha.
Sipas saj, me komuna të tjera tashmë po koordinohen datat për vendosjen e orëve të numërimit mbrapsht.
Platforma u ka bërë thirrje komunave që t’i bashkohen nismës edhe përmes dekorimit të hapësirave publike me flamuj dhe simbole të UÇK-së.
Kërkohet që java e parë e mësimit t’i kushtohet luftës çlirimtare
“Liria ka Emër” u është drejtuar gjithashtu komunave dhe drejtorive komunale të arsimit me kërkesën që java e parë e procesit mësimor t’i kushtohet historisë së luftës çlirimtare dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes aktiviteteve edukative në shkollat e vendit.
“Brezi i ri duhet ta njohë historinë e vendit të vet, sakrificën për liri dhe rrugën që na solli deri te shteti i Kosovës. Kujtesa për luftën çlirimtare nuk është çështje e një partie apo një gjenerate – është përgjegjësi e përbashkët ndaj historisë sonë”, tha Hoxha.
Platforma njoftoi se aktivitetet do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim në komunat e Kosovës dhe në diasporë.
Në kuadër të agjendës së paralajmëruar janë edhe Marshi për Liri, më 12 shtator në Prishtinë, dhe “Nata e Pritjes”, më 15 dhe 16 shtator në Hagë.

