Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Shefen në Detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, nga e cila ka pranuar raportin përfundimtar të Misionit të Ekspertëve Zgjedhorë të BE-së për zgjedhjet e fundit.
Gjatë takimit u diskutua për procesin zgjedhor të 28 dhjetorit, i cili sipas palëve konfirmoi edhe një herë se Kosova organizon zgjedhje të lira, të drejta dhe në përputhje me standardet evropiane.
Kurti vlerësoi angazhimin e misionit të BE-së dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të zbatuar rekomandimet e dala nga raporti.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e dezinformimit gjatë proceseve zgjedhore, duke theksuar se lajmet e rreme, sondazhet e fabrikuara dhe materialet e manipuluara kanë potencial të cenojnë besimin publik.
Kryeministri theksoi se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë thelbësore për përmbushjen e kritereve politike të BE-së dhe kërkoi që gjetjet pozitive të misionit vëzhgues të reflektohen qartë në Raportin e Vendit të Komisionit Evropian për vitin 2026.
Takimi vjen në një kohë kur Kosova synon avancimin e mëtejshëm në rrugën e integrimit evropian, duke u fokusuar në forcimin e institucioneve demokratike dhe transparencës zgjedhore.

