Nga 1 maji, në Gjermania hyjnë në fuqi një sërë ndryshimesh që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, duke përfshirë rritje pagash, lehtësime financiare dhe rregulla të reja për pensionet.
Një nga ndryshimet kryesore është rritja e pagave në sektorin publik. Shkalla më e ulët e pagës do të hiqet, duke bërë që punonjësit të kalojnë automatikisht në nivele më të larta, me rritje të ndjeshme të të ardhurave mujore. Ndërkohë, mbi 2.5 milionë punonjës në nivel shtetëror dhe komunal do të përfitojnë një rritje prej 2.8%, ndërsa praktikantët dhe studentët do të marrin 75 euro shtesë në muaj.
Në përpjekje për të zbutur kostot e jetesës, pritet edhe ulje e përkohshme e çmimeve të karburantit. Sipas planit, benzina dhe nafta mund të ulen deri në 17 cent për litër, për një periudhë dy mujore.
Një tjetër masë është mundësia për një “bonus krize” deri në 1,000 euro, i cili mund të jepet nga punëdhënësit pa taksa. Megjithatë, ky bonus nuk është i detyrueshëm dhe varet nga vendimet e kompanive.
Ndryshime të rëndësishme prekin edhe sistemin e pensioneve. Personat e lindur në periudha të caktuara mund të dalin në pension me ose pa ulje, në varësi të viteve të punës, ndërsa për disa kategori është përcaktuar qartë mosha e pensionimit.
Nga mesi i majit, do të zgjerohet edhe programi i kontrollit shëndetësor për të porsalindurit, duke përfshirë teste të reja për zbulimin e hershëm të problemeve metabolike dhe mungesës së vitaminës B12.
Ndërkohë, më 23 maj do të shënohet Dita e Ligjit Themelor, me fokus të veçantë në promovimin e vullnetarizmit dhe solidaritetit në shoqëri.
Këto masa pritet të sjellin lehtësim financiar për qytetarët dhe të ndikojnë pozitivisht në mirëqenien sociale në vend.

