Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim mirëseardhës ambasadoren e re të Suedisë në Kosovë, Åsa Pehrson, me të cilën tha se ishte takuar edhe 20 vjet më parë në Stokholm.
Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj, si para ashtu edhe pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë.
Kurti: Suedia ndër donatorët më të mëdhenj të Kosovës
Kurti theksoi se Suedia është një vend mik i Kosovës dhe një nga pesë donatorët më të mëdhenj të vendit.
Ai përmendi gjithashtu kontributin e mijëra ushtarëve suedezë në kuadër të misionit të KFOR-it, si dhe rolin që Suedia ka pasur në pritjen e familjeve shqiptare nga Kosova.
“Si një vend mik i Republikës së Kosovës dhe një ndër pesë donatorët tanë më të mëdhenj, me mijëra ushtarë suedezë që kanë kontribuar në kuadër të KFOR-it, Suedia u bë shtëpi e shumë familjeve shqiptare të Kosovës, duke përfshirë edhe shumë minatorë të Trepçës që u larguan nga Kosova pas grevës së minatorëve më 1989”, tha Kurti.
Në fokus ekonomia, energjia dhe mbrojtja
Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.
Sipas njoftimit, vëmendje iu kushtua veçanërisht bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, energjisë dhe mbrojtjes.
Po ashtu, Kurti dhe ambasadorja Pehrson diskutuan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe situatën në rajon.
Pehrson: Ka qenë gjithmonë dëshirë e imja të shërbej në Kosovë
Ambasadorja e re e Suedisë, Åsa Pehrson, tha se shërbimi diplomatik në Kosovë ka qenë prej kohësh një dëshirë e saj.
Takimi shënon fillimin e mandatit të saj si ambasadore e Suedisë në Kosovë, në një kohë kur Prishtina dhe Stokholmi synojnë të thellojnë më tej bashkëpunimin dypalësh.

