Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Ai ka vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe rolin e diasporës shqiptare në forcimin e këtyre lidhjeve.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Ai ka theksuar se lidhjet e forta të mërgatës shqiptare me popullin dhe shtetin zviceran përbëjnë një bazë të rëndësishme për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.
Kurti ka shprehur mirënjohje për kontributin e Zvicrës, duke veçuar edhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me EFTA-n, e cila, sipas tij, shënon një kapitull të ri në bashkëpunimin ekonomik.
Marrëveshja, e cila ka hyrë në fuqi muajin e kaluar, përfshin jo vetëm tregtinë e mallrave, por edhe shërbimet.
“Jemi mirënjohës për kontributin e Zvicrës, me të cilën muajin e kaluar nisëm një kapitull të ri bashkëpunimi, me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë (EFTA), që përfshin edhe shërbimet përveçse mallrat”, ka shkruar Kurti.
