Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin 2027, në vlerë prej më shumë se 161 milionë eurosh. Buxheti u miratua me 31 vota për, ndërsa 12 asamblistë votuan kundër.
Një nga projektet e përfshira në buxhet është edhe zgjatja e sheshit “Xhorxh Bush” deri te objekti i Postës, për të cilin janë paraparë më shumë se 7 milionë euro.
Rama: Mbi 58 milionë euro për investime kapitale
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se nga buxheti total, rreth 58 milionë euro janë të destinuara për investime kapitale, ndërsa 22 milionë euro lidhen me financimin në kuadër të Ligjit për Kryeqytetin.
Rama gjatë fjalimit para asamblistëve ka kërkuar mbështetjen për buxhetin, duke thënë se fondet do të orientohen në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, sportin, shëndetësinë, kulturën dhe përgatitjet për “Prishtina 2030”.
“Për buxhetin mund të ketë debat, por duhet të ketë vendim. Të mos mbetemi peng i dallimeve politike. Nuk votojmë për pushtetin, po për qytetarin”, ka thënë Rama.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike në Kuvendin Komunal.
VV votoi kundër
Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër buxhetit.
Kryetari i grupit të asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, ka kritikuar mënyrën e hartimit dhe orientimit të buxhetit.
“Buxheti nuk është për qytetarin, por pak për LDK-në dhe pak për PDK-në”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka thënë se, sipas VV-së, buxheti u shërben grupeve të caktuara dhe për këtë arsye subjekti i tij nuk e ka mbështetur atë.
LDK dhe PDK mbështetën buxhetin
Ndryshe nga VV-ja, grupet e LDK-së dhe PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës e kanë mbështetur buxhetin.
Asamblisti i LDK-së, Egzon Pacolli, ka thënë se projektet e përfshira në buxhet synojnë të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ai ka veçuar ndër të tjera projektet për memorialet “Ibrahim Rugova” dhe “Adem Jashari”.
Ndërkaq, asamblisti i PDK-së, Plator Gërdovci, ka thënë se partia e tij e vlerëson orientimin e një pjese të mjeteve drejt transportit publik.
Sipas tij, sfida kryesore pas miratimit të buxhetit mbetet realizimi i projekteve të planifikuara.
“Presim që punët të bëhen me kohë”, ka thënë Gërdovci.
Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2027 u miratua me 31 vota për dhe 12 kundër.

