Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare, e cila pritet të nisë në orën 12:00. Deputetët do të shqyrtojnë tri projektligje, raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2025, si dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e komisioneve parlamentare.
Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar, për të vazhduar me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Në vazhdim, deputetët do të shqyrtojnë propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve të komisioneve parlamentare, si dhe miratimin e fushëveprimit të tyre për Legjislaturën e 11-të.
Tri projektligje në shqyrtim të parë
Në rendin e ditës janë përfshirë tri projektligje, të cilat do të shqyrtohen në lexim të parë:
- Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave;
- Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë;
- Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Po ashtu, Kuvendi pritet të shqyrtojë raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Seanca plenare është paraparë të fillojë në orën 12:00.

