Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe vendimin e partisë së saj për të mos arritur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për formimin e institucioneve.
Duke folur në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Lushaku-Sadriu tha se LDK-ja kishte hyrë në negociata me Vetëvendosjen me synimin që vendit t’i krijoheshin institucionet, duke e cilësuar këtë si një akt të vetëdijes së lartë shtetërore.
“Morëm pjesë në negociata për t’i dhënë institucione shtetit”
Sipas saj, LDK-ja iu përgjigj ftesave të partisë së parë, duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe përgjegjësinë që qytetarët ua kanë dhënë subjekteve politike.
“Ne morëm pjesë në negociata, qytetari e ka përcaktuar përgjegjësinë e secilit subjekt politik dhe në bazë të fuqisë politike iu përgjigjëm ftesave të kryetarit të VV-së, e cila doli si partia e parë. Ne e bëmë me vetëdije të plotë për me i dhënë institucione shtetit tonë”, deklaroi ajo.
Lushaku-Sadriu tha se qytetarët janë nxjerrë tri herë radhazi në zgjedhje, ndërsa, sipas saj, përgjegjësia kryesore për krijimin e institucioneve i takon subjektit që ka dalë i pari.
Ajo iu referua edhe Kushtetutës, duke theksuar se partia e parë ka peshën më të madhe në iniciativat për formimin e institucioneve.
“VV-ja i ka numrat për ta formuar Qeverinë”
Deputetja e LDK-së vlerësoi se aktualisht Vetëvendosja i ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë, ndërsa partitë e tjera nuk e kanë këtë mundësi.
“Sot e kemi Vetëvendosjen e cila i ka numrat për Qeveri, domethënë e ka mundësinë që t’i formojë këto institucione, derisa partitë e tjera nuk e kanë dhe ne nuk gjetëm një marrëveshje”, tha Lushaku-Sadriu.
Sipas saj, kjo e vendos përgjegjësinë kryesore te partia e parë për të gjetur rrugën drejt konstituimit të institucioneve.
Negociatat u përqendruan te parimet dhe ndarja e pushtetit
Lushaku-Sadriu bëri të ditur se gjatë negociatave nuk është diskutuar vetëm për pozitat institucionale, por edhe për parimet bazë të qeverisjes dhe parimet demokratike mbi të cilat do të duhej të bëhej ndarja e pushtetit.
“Në bisedime është diskutuar për parimet, parimet bazë, sepse duhet të kishim dakordancë për disa parime bazë për drejtimin e vendit tonë, por edhe disa parime demokratike mbi bazën e të cilave ndahet pushteti”, u shpreh ajo.
Megjithatë, sipas deputetes së LDK-së, problemi kryesor ishte mungesa e gatishmërisë për një ndarje proporcionale të pushtetit.
“Oferta ishte jodinjitoze për LDK-në”
Lushaku-Sadriu tha se LDK-ja është përballur me një ofertë që, sipas saj, nuk përputhej me peshën elektorale të partisë.
“Nuk kishim një gatishmëri që në kuadër të marrëveshjes të kishte një ndarje proporcionale. Ne u ballafaquam me një ofertë e cila ishte jodinjitoze për LDK-në, për aq kohë sa ajo nuk përfaqësonte, as nuk ishte në përputhje me përqindjen e votave që ka marrë partia jonë”, deklaroi ajo.
Deklarata e saj vjen pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se partia ka hequr dorë nga kërkesat për pozita në Qeverinë e ardhshme, përfshirë edhe kërkesën për Presidencën, duke deklaruar se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë.

